Si ndikojnë stresi dhe ankthi në simptomat e sindromit të zorrës së irrituar

Cili erdhi i pari – sindromi i zorrës së irrituar apo ankthi? Secili dihet se shkakton tjetrin. Stresi dhe ankthi janë përgjigja e trupit ndaj rrezikut. Por sfidat e sotme të lidhura me punën, shkollën dhe përgjegjësitë e marrëdhënieve kanë bërë që këto gjendje emocionale të jenë prezentë së tepërmi në përditshmëri. Asnjë kurë përfundimtare nuk ekziston për sindromin e zorrës së irrituar. Por ka mënyra se si mund të reduktoni stresin në jetën tuaj, të cilat mund të ndihmojnë në përmirësimin e simptomave tuaja.
Si ndikon stresi dhe ankthi në zorrë?
Truri dhe nervat përgjegjëse për të kontrolluar trupin tonë përfaqësojnë sistemin nervor qendror. Zakonisht sistemi nervor qëndror klasifikohet në sistemin nervor simpatik dhe parasimpatik. Disa studiues dhe shkencëtarë përfshijnë dhe një klasifikim të tretë, sistemin nervor enterik, i cili kontrollon pjesën më të madhe të aktivitetit të sistemit gastrointestinal. Sistemet simpatike dhe parasimpatike zakonisht funksionojnë së bashku. Sistemi parasimpatik njihet si sistemi i "pushimit dhe tretjes". Ai kontrollon funksionet e trupit si urinimi, jashtëqitja, tretja, prodhimi i lotëve dhe prodhimi i pështymës - me pak fjalë, shumë nga funksionet që trupi jonë kryen gjatë jetës së përditshme.
Sistemi nervor simpatik përfaqëson përgjigjen "lufto ose ik". Stresi dhe ankthi e aktivizojnë këtë sistem. Ata krijojnë një reaksion zinxhir të çlirimit të hormoneve që rrit rrahjet e zemrës, pompon më shumë gjak në muskuj, dhe ngadalëson apo ndalon proceset e tretjes në stomak.
Sipas një artikulli të botuar në Revistën Botërore të Gastroenterologjisë sindromi i zorrës së irrituar rezulton në çrregullime të ekuilibrit midis trurit dhe zorrës. Rezultati është se stresi dhe ankthi nganjëherë shkaktojnë ngacmim të aktivitetit të zorrëve çka shkakton diarre dhe djegie të stomakut. Në të tjerët, sinjalet e trurit janë jo-aktive dhe aktiviteti i zorrëve mund të ngadalësohet, duke rezultuar në konstipacion (kapsllëk), gazra dhe diskomfort abdominal.
Si mund të shkaktojë stresi sindromin e zorrës së irrituar?
Qëllimi i trupit është të ruajë homeostazën, ose një gjendje të qëndrueshme të mirëqenies. Pas një përgjigje stresante, hormonet kanë si qëllim të kthehen në nivelet normale.
Sidoqoftë, kur njerëzit përjetojnë stres dhe ankth kronik, trupat e tyre nuk mund të arrijnë homeostazën. Kjo është shpesh rasti i personave me sindromin e zorrës së irrituar. Stresi mund të shkaktojë çlirimin e shumë hormoneve, përfshirë faktorin çlirues të kortikotropinës (CRF). Ky hormon është i lidhur me bakteret e shëndetshme të zorrës, të cilët ruajnë funksionin normal të zorrëve. CRF aktivizon gjithashtu përgjigjen imune të trupit. Ndërsa kjo mund të tingëllojë si një gjë e mirë, aktiviteti imunitar mund të ketë efekte anësore, siç është rasti kur një person ka një përgjigje të fortë alergjike ndaj një ushqimi të shëndetshëm.
Stresi kronik mund të shkaktojë disekuilibër të baktereve të zorrëve, një gjendje e njohur si dysbiosis. Sipas një artikulli në Shoqatën Botërore të Gastroenterologjisë, dysbiosis i shkaktuar nga stresi mund të luajë një rol kryesor në një person që zhvillon sindromin e zorrës së irrituar.
Trajtimi i stresit dhe lidhja me sindromin e zorrës së irrituar
Disa njerëz e dinë burimin e stresit të tyre, ndërsa të tjerët e kanë të vështirë ta njohin atë. Një nga mënyrat për të filluar trajtimin e stresit tuaj dhe lidhjen e tij me sindromin e zorrës së irrituar është mbajtja e një ditari.
Në këtë ditar, ju mund të shkruani për ecurinë e ditës dhe gjendjen e simptomave tuaja. Asnjë detaj nuk është shumë i vogël. Dhimbja e barkut, kapsllëku dhe gazrat janë të gjitha simptoma që ju mund të jeni në gjendje t'i lidhni me përkeqësimin e sindromin e zorrës së irrituar.
Ju mund të duhet të mbani ditarin për një kohë - ngjarje të mëdha të jetës dhe stresues mund të shkaktojnë një përkeqësim të simptomave disa javë ose muaj më vonë. Pasi të keni identifikuar faktorët stresues në jetën tuaj, mund të ndërmerrni hapa që t'i eliminoni ato dhe të mësoni veten të përballoni stresin që mund të krijojnë këto situata.
Këtu janë disa këshilla për të përballuar stresin dhe për të përmirësuar simptomat e sindromit të zorrës së irrituar:
• Filloni një praktikë lehtësuese të stresit, si meditimi ose joga. Përmes mësimit të frymëmarrjes së thellë dhe përqendrimit të mendimeve tuaja, ju mund të jeni më të aftë të përballoni stresin.
• Bëni përpjekje për të fjetur të paktën shtatë deri në tetë orë në natë. Bërja e gjumit të bollshëm mund t’ju sigurojë energjinë që ju nevojitet për të kaluar më së miri ditën tuaj. Shkoni për të fjetur në një kohë të rregullt gjumi dhe shmangni përdorimin e pajisjeve elektronike në shtrat.
• Kërkoni ndihmë profesionale nga një psikiatër. Një psikiatër mund të të ndihmojë të mësosh aftësi për të menaxhuar stresin.
• Vazhdoni ditarin si një mjet për të identifikuar se si metodat tuaja të menaxhimit të stresit po përmirësohen dhe se si simptomat tuaja po përmirësohen.
Ndërsa stresi mund të jetë një faktor kontribues në sindromin e zorrës së irrituar, ai zakonisht nuk është faktori i vetëm.
Përqendrimi në uljen e stresit, si dhe marrja e medikamenteve dhe menaxhimi i dietës tuaj mund t'ju ndihmojë të përmirësoni simptomat e sindromit të zorrës së irrituar.