Sindromi i zorrës së irrituar

Sindromi i zorrës së irritueshme është një çrregullim funksional I traktit tretës që karakterizohet nga dhimbje barku dhe alterime të jashtëqitjes në mungesë të një sëmundje organike specifike. Studimet kanë treguar se sindromi i zorrës së irritueshme është prezent në 10-20% të populates me një prevalencë në rritje.
Cilat janë shenjat e sindromit të zorrës së irritueshme (SZI)?
Shenjat kryesore janë:
1. Alterime të jashtëqitjes
2. Dhimbje barku
3. Fryrje barku
Alterimet në jashtëqitje mund të kenë karakteristikat e mëposhtme:
• Pacientët që paraqiten me konstipacion mund të ankohen për feçe të forta, jashtëqitje të dhimbshme, rezistencë ndaj laksativëve
• Pacientët që paraqiten me diarre mund të ankohen për feçe të ujshme dhe të herëpashershme apo ndjesi urgjence për të defekuar
• Pacientët mund të ankohen që herë kanë diarre, herë konstipacion
Karakteristikat e dhimbjes së barkut:
• Dhimbje difuze
• Zona tipike të dhimbjes përfshijnë: pjesa e poshtme e barkut, sidomos kuadrati i poshtëm i majtë
• Zakonisht dhimbja është e vazhdueshme, por pacientët mund të kenë episode akute me dhimbje të fortë, të mprehtë
• Dhimbja përforcohet pas ushqimit
• Dhimbja lehtësohet nga jashtëqitja, por nuk e qetëson plotësisht atë
Si vendoset diagnoza?
Sipas kritereve të Romës IV për të vendosur diagnozën e zorrës së irrituar pacientët të kenë dhimbje abdominale të përsëritur mesatarisht të paktën 1 ditë në javë për 3 muaj që shoqërohet me dy ose më tepër nga shenjat e mëposhtme:
• Dhimbja ndikohet nga defekimi (shtohet ose lehtësohet)
• Pacienti ka alterime të jashtëqitjes (diarre, konstipacion ose të dyja)
• Ndryshime në formën dhe pamjen e feçeve
Shoqata Amerikane e Gastroenterologjisë nuk rekomandon kryerjen e testeve laboratorike apo imazherike në pacientë më të rinj se 50 vjeç që prezantohen me simptoma tipike të sindromit të zorrës së irrituar dhe pa shenjat “alarmuese” të mëposhtme:
1. Humbje në peshë
2. Anemi ferrodeficitare
3. Histori familjare për sëmundje gastrointestinale
Testet për të përjashtuar çrregullime që nuk lidhen me sindromin e zorrës së irrituar përfshijnë:
• Gjak komplet dhe hapje e gjakut në lamë për të përjashtuar aneminë, infeksione të mundshme apo inflamacion të zorrës
• Paneli metabolik për të vlerësuar çrregullime metabolike dhe për të përjashtuar dehidrimin, anomaly elektrolitike në pacientë me diarre
• Ekzaminime të feçeve për të zbuluar infeksione parazitike, patogjenë enterikë, leukocyte, toksinat e C. Difficile…
Menaxhimi
Menaxhimi primar i pacientëve me sindromin e zorrës së irrituar konsiston në mbajtjen e një regjimi ushqimor të duhur. Rekomandimet dietike përfshijnë:
• Suplemente fibrash të cilat mund të përmirësojnë simptomat e diarresë dhe konstipacionit
• Përbërjet polikarbofile (si psh. Citrucel, FiberCon) prodhojnë më pak gazra krahasuar me përbërjet e psiliumit (psh. Metamucil)
• Pacientëve u rekomandohet të pijnë sa më tepër ujë, sidomos ata që ankohen për konstipacion
• Shmangia e kafeinës redukton ankthin dhe përkeqësimin e simptomave
• Shmangia e legumeve redukton fryrjen e barkut
• Laktoza, fruktoza, dhe FODMAPs (oligosakaridet, disakaridet, monosakaridet dhe karbohidratet me zinxhir të shkurtër) duhet të përdoren në sasi të limituar te këta individë
• Rekomandohet marrja e probiotikëve