Të ushqyerit dhe celuliti.

Celuliti është hernie e dhjamit subkutan brenda indit lidhor që shfaqet si zbehje e lëkurës dhe nodularitet, shpesh në rajonin e legenit (posaçërisht vithet), gjymtyrët e poshtme dhe në bark. Strategjia e duhur ushqimore është në gjendje të zvogëlojë dhjamin e tepërt, bashkë me të edhe një pjesë të madhe të celulitit.

Kur një regjim ushqimor i mirëpërcaktuar kombinohet me një aktivitet të rregullt fizik dhe me trajtimet e duhura estetike është e mundur reduktimi i celulit, nëse jo plotësisht, thuajse plotësisht. Formimi i celulitit lidhet me praninë e njëkohshme të shumë faktorëve predispozues ku përfshihen: akumulimi i indit dhjamor dhe toksinave, qarkullim jo i duhur i gjakut dhe problemet hormonale. Dieta anti-celulit duhet të përqëndrohet në eliminimin e indit dhjamor të tepërt dhe detoksikimin e organizmit.

USHQIME TË DOBISHME KUNDËR CELULITIT:

Rekomandohen frutat dhe perimet dhe në veçanti ato të pasura me acid askorbik, një vitaminë që mbron kapilarët e gjakut, të tilla si: agrume, ananas, kivi, luleshtrydhe, qershi, marule, radikio, spinaq, brokoli, lakër, lulelakër, domate, speca. Rekomandohen gjithashtu të gjitha ato ushqime veçanërisht të pasura me antioksidantë natyralë: kivi, agrumet, grejpfruti, brokoli, kumbulla dhe patatet.

Angjinarja, kopra, çikorja, trangujt, ananasi, pjepri, shalqi, pjeshkët dhe luleshtrydhet kanë veti diuretike mjaft të mira. Të gjitha këto fruta dhe perime mund të konsumohen në formën e lëngjeve, koncentrateve dhe çajrave bimorë. Sidoqoftë, është e rëndësishme të jini të kujdesshëm me konsumin e këtyre të fundit, nëse merren në doza të larta ato mund të lodhin mëlçinë pa qënë e nevojshme. 

KËSHILLA TË DOBISHME PËR TË USHQYERIT KUNDËR CELULITIT: 

Një ditë në javë, rekomandohet një dietë detoksikuese veçanërisht e pasur me lëngje (çajëra bimor, lëngje frutash, smoothie) dhe perime. Në këtë ditë, mishi do të zëvendësohet me peshk, i cili është më i tretshëm, pasi është më pak i pasur me ind lidhor. Gjatë këtyre 24 orëve, ushqimet e yndyrshme do të hiqen, me përjashtim të vajit të ullirit dhe vajrave të farave. 

Disa orë në palestër, e shoqëruar ndoshta nga një seancë HBOT, sauna ose një banjë turke relaksuese, do të stimulojë më tej eliminimin e toksinave. Uji duhet të bëhet një shok besnik dhe si i tillë duhet të bartet gjithmonë me vete. Hidratimi i duhur është në fakt një nga zgjidhjet më të thjeshta dhe më efektive për të luftuar celulitin. Prandaj është e nevojshme të përpiqemi të konsumojmë të paktën disa litra ujë në ditë. 

Pijet alkoolike dhe joalkoolike (të tilla si soda portokalli, cola, lëngje frutash, birrë, kafe e ëmbël, çajëra të ftohtë) përveç ujit, ofrojnë substanca të tjera që përmbajnë kalori (sheqerna, alkool) ose që janë farmakologjikisht aktive (për shembull kafeina). Këto pije duhet të përdoren në mënyrë të moderuar. Në vend të tyre, rekomandohet përdorimi i ujërave me minerale të ulëta ose minimalisht të mineralizuara. 

Në fillim të dietës, veçanërisht nëse jeni mësuar të pini pak ujë, shtimi i sasisë së ujit do të stimulojë diurezën. Problemi mund të parandalohet duke pirë shpesh dhe në gllënjka të vogla; në këtë mënyrë trupi do të mësojë të thithë një sasi më të madhe uji.