Të ushqyerit në patologjitë neurodegjenerative

Sëmundjet neurodegjenerative ndikojnë në sistemin nervor qendror dhe konsistojnë në humbjen e funksionit ose vdekjen selektive dhe progresive të qelizave nervore, me pasoja njohëse (konjitive), motorike dhe të sjelljes. Në varësi të numrit, vendndodhjes dhe llojit të qelizave të dëmtuara, simptomat e këtyre sëmundjeve mund të ndryshojnë.

Ndër sëmundjet neurodegjenerative përmendim demencat (Alzheimer), sëmundjen e Parkinsonit, sëmundjen e Huntington, ALS (sklerozën amiotrofike laterale) dhe sklerozën e shumëfishtë. Sëmundjet neurodegjenerative karakterizohen nga një fazë e gjatë para-klinike gjatë të cilës një regjim i përshtatshëm ushqimor mund të parandalojë shfaqjen ose të ngadalësojë përparimin e sëmundjes. Në fakt, lëndët ushqyese veprojnë si "nutraceuticals", pra si elementë që kanë efekte të dobishme në shëndet. Duhet të theksohet se asnjë regjim ushqimor nuk mund të çojë në shërimin e plotë të këtyre sëmundjeve, por sigurisht mund të përmirësohen simptomat dhe përparimi i tyre në kohë me disa masa paraprake dietike.

Studimet e fundit tregojnë se një dietë e ulët në yndyrna dhe kolesterol, por e pasur me fibra dhe antioksidantë mund të përfaqësojë një faktor mbrojtës kundër sëmundjeve degjenerative të tilla si demenca ose Alzheimer. Shumë të rëndësishme janë gjithashtu yndyrnat e pangopura, të përfshira për shembull në vajin e ullirit, të cilat përfaqësojnë një faktor neuroprotektiv të aftë për të moduluar apo edhe ulur aktivitetin inflamator të sëmundjeve të tilla si skleroza e shumëfishtë.

Rekomandime për pacientët me sëmundje neurodegjenerative:
Ulni marrjen e sheqernave të thjeshtë
Kufizoni yndyrnat e ngopura, eliminoni yndyrnat trans
Pasuroni zorrën me prebiotikë dhe probiotikë
Mbani të monitoruara vlerat e homocisteinës, vitaminës B dhe vitaminës D
Kontrolloni funksionin e tiroides
Përmirësoni cilësinë e gjumit
Ushtroni dhe stimuloni funksionin e trurit

Edhe gjatë trajtimit medikamentoz për sëmundjet neurodegjenerative është e rëndësishme t'i kushtohet vëmendje ushqyerjes e cila, nëse është e përshtatshme, mund të favorizojë efektet e barnave të përdorura. Në sëmundjen e Parkinsonit, për shembull, ndjekja e një diete të pasur me fruta dhe perime dhe pak proteina favorizon thithjen e medikamentit (levodopa) i cili është baza për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Për këtë arsye, në neurologji roli i të ushqyerit konsiderohet po aq i rëndësishëm sa ai i terapive medikamentoze. 

Një dietë e papërshtatshme në fakt mund të kundërshtojë efektet e terapisë në progres, duke anuluar efektet e saj pozitive. Këshillohuni me mjeken nutricioniste për regjimin që duhet të ndiqni nëse vuani nga patologjitë e mësipërme, në mënyrë që jo vetëm të menaxhoni në mënyrë të përshtatshme kursin e sëmundjes, por dhe të siguroheni që po merrni të gjithë elementët ushqimorë që ju nevojiten.