Të ushqyerit dhe anemia: çfarë të hamë?

Ushqimet më të mira të pasura me hekur
Një dietë e pasur me hekur, vitaminë B12 dhe folate është ideale për të luftuar aneminë. Ja çfarë duhet të hani për të rritur hemoglobinën e ulët.

Studime të shumëta kanë konstatuar se çdo vit në botë numri i subjekteve që vuajnë nga anemia po rritet gjithnjë e më shumë. Kjo gjendje patologjike, e cila tashmë ka mbi 800 milionë anemikë, karakterizohet nga një deficit në numrin e qelizave të kuqe të gjakut në trup, nga mosfunksionimi i tyre ose nga një normë hemoglobine nën vlerat minimale të pritshme për qarkullimin normal të oksigjenit në gjakun nga mushkëritë tek organet dhe indet.
Ne flasim për anemi, kur nivelet e hemoglobinës janë më pak se 14 g/dl tek meshkujt (ose prania e rruazave të kuqe të gjakut është më pak se 4.5 milionë/mcL) dhe 12 g/dl tek femrat (ose qelizat e kuqe të gjakut më pak se 4 milion / mcL).
Shkaqet e këtij çrregullimi mund të jenë të ndryshme, si dhe trajtimi që duhet të adoptohet në bazë të origjinës së sëmundjes dhe ashpërsisë së gjendjes.
Kur nuk shkaktohet nga sëmundje të tjera gjenetike, anemia është zakonisht rezultat i çekuilibrit ushqimor. Dietat e parregulluara, tepër kufizuese ose të pabalancuara për sa i përket lëndëve ushqyese, çojnë në mënyrë të pashmangshme në mangësi të mëdha në vitamina, minerale dhe substanca të nevojshme për mirëqenien e trupit.
Një trajtim adekuat ushqimor është në fakt në gjendje të zgjidhë format më të zakonshme të anemisë, përkatësisht mungesën e hekurit (ku regjistrohen nivele të ulëta të hekurit për shkak të hemorragjive, mangësive ose mungesës së përthithjes së mineralit), mungesës së vitaminës B12 (shpesh e shkaktuar nga dietat e pakontrolluara ose kufizuese dhe nga tretja e dobët) dhe nga mungesa e acidit folik (pasojë e një diete të varfër me ushqime të freskëta ose pamjaftueshmeri ne nutrientet e nevojshme).
Pasi të jetë identifikuar shkaku i problemit, nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku, në shumicën e rasteve do të mjaftojë të adoptohet një regjim specifik për plotësimin e lëndëve ushqyese.
Pra, le të shohim se çfarë duhet të hani në rast të anemisë nga mungesa e një regjimi ushqimor të shëndetshëm, cilat ushqime janë më të pasura me hekur, vitaminë B12 dhe acid folik dhe cilat janë gabimet e tavolinës që duhet të shmangin ata që vuajnë nga anemia.

Çfarë duhet të hani në rastin e anemisë nga mungesa e hekurit?
Anemia nga mungesa e hekurit manifestohet me uljen e vlerave të hemoglobinës në gjak përgjithësisht për shkak të marrjes së ulët të hekurit, një mineral themelor për sintezën e hemoglobinës.
Kjo gjendje shfaqet në prani të gjakderdhjes, si në rastin e grave në moshë riprodhuese me fluks të bollshëm menstrual, pamundësi për të plotësuar nevojën për hekur, e cila në disa faza të jetës mund të rritet (pas operacionit ose gjatë shtatzënisë) ose në mungesë të përthithjes nga trupi.
Në të gjitha këto raste është e rëndësishme jo vetëm të rritet sasia e mineralit që duhet marrë, por edhe të optimizohet asimilimi i tij. Pra, çfarë të hani nëse keni vlerë të ulët të hemoglobinës?
Ushqimet me origjinë shtazore janë më të pasurat me hekur, kështu që integrimi i mishit (si i kuq ashtu edhe i bardhë), i peshkut (veçanërisht ton, salmoni dhe merluci) dhe vezët (e verdha) në dietën tuaj mund të ndihmojë në rritjen e furnizimit me hekur. Në fakt, këto ushqime janë të pasura me hem, i cili asimilohet më lehtë.
Mirëpo, ndër ushqimet bimore, perimet që përmbajnë më shumë hekur janë ato me gjethe jeshile si rukola, spinaqi  dhe sallata jeshile. Krahas tyre, soja, bishtajoret dhe frutat e thata janë një burim i shkëlqyer bimor i hekurit, i cili megjithatë është më pak i absorbueshëm.
Rrjedhimisht, është gjithashtu e rëndësishme të jeni të kujdesshëm për të optimizuar përthithjen, në mënyrë që zorrët të asimilojnë sa më shumë hekur nga këto ushqime. Në këtë drejtim, është mirë të dini se disa kombinime ushqimore mund të përmirësojnë absorbueshmërinë e mineralit.
Në veçanti, këshillohet që të shmanget shoqërimi i ushqimeve të pasura me hekur me ushqime që përmbajnë tanine (çaj, kafe, çokollatë, verë), fibra të tepërta dietike, kalcium dhe fosfor dhe oksalate (disa lloje dritherash, bishtajore), pasi këto substanca reduktojnë thithjen e hekurit nga zorrët.
Në të kundërt, kombinimi i perimeve të pasura me hekur me ushqime të pasura me vitamina C, A dhe B mund të ndihmojë që minerali të jetë më i absorbueshëm. Prandaj, do të jetë e mjaftueshme të konsumoni një pjesë të perimeve të shoqeruara me lëng limoni për të optimizuar asimilimin e hekurit dhe për të ndikuar pozitivisht në biodisponueshmërinë e tij, ndërsa do të ishte më mirë të shmangni kombinimin e mishit dhe djathit ose makaronave dhe bishtajoreve.

Çfarë duhet të hani në rastin e anemisë nga mungesës së vitaminës B12 dhe acidit folik?
Mungesa e vitaminës B12 dhe folatit në trup mund të ndërhyjë në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, të cilat nuk do të jenë plotësisht funksionale, duke shkaktuar një formë tjetër të anemisë.
Anemia megaloblastike është pothuajse gjithmonë për shkak të mangësive ushqyese, në fakt ajo shfaqet tek subjektet që ndjekin dieta të ndryshme sigurisht te pakontrolluara nga mjeku nutricionist.
Meqenëse vitamina B12 përmbahet kryesisht në ushqimet me origjinë shtazore, veçanërisht në të brendshmet, dhe produktet e qumështit të fermentuara, veganët dhe vegjetarianët janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të përjetimit të mungesës së vitaminave. Rrjedhimisht, mënyra më e mirë për të luftuar çrregullimin tek ata që nuk hanë mish dhe produkte shtazore është të konsumojnë ushqime të pasura me vitaminë B12 ose të marrin suplemente specifike.
Përkundrazi, acidi folik ose vitamina B9 përmbahen jo vetëm në të brendshmet e kafshëve, por edhe në perimet me gjethe jeshile dhe kruciferet si brokoli, frutat, drithërat dhe bishtajoret. Problemi, megjithatë, qëndron në faktin se gatimi i këtyre ushqimeve, veçanërisht atyre më të pasura me folate, redukton sasinë e vitaminës nga 50 në 80%, kështu që kur është e mundur preferohet të konsumohen të gjalla.
Per te permiresuar perthithjen mund te perdorni probiotiket. Keshtu ju do të balanconi floren bakteriale dhe hekuri se bashku me nutrientet e dobishem do te perthithen me mire.
Nëse kjo nuk mjafton, është gjithashtu e përshtatshme të drejtoheni në suplemente. Për këtë ju duhet patjetër konsulta me mjekun nutricionist! Pasojat e anemisë janë me rëndësi serioze për shëndetin!