Cilat janë shkaqet e fryrjes së barkut

Fryrja e barkut është një ndjesi tensioni i shtuar në bark e shkaktuar nga akumulimi i tepërt i gazrave në stomak dhe/ose zorrë. Kjo simptomë mund të ketë shkaqe të ndryshme. Në shumicën e rasteve, fryrja e barkut është një simptomë e parëndësishme që lidhet me gabime dietetike; megjithatë, ajo gjithashtu mund të jetë dhe shfaqje e një patologjie në zhvillim.

Fryrja e barkut mund të jetë e izoluar ose të shoqërohet me simptoma të tjera gastrointestinale (të tilla si të përziera, dhimbje barku, gazra, kapsllëk ose diarre) ose simptoma jo specifike (dhimbje koke, lodhje trupi dhe pafuqi). Ndjenja e ngopjes dhe tensionit abdominal pas konsumit të ushqimit mund të jetë si rrjedhojë e aerofagisë, një gjendje e shkaktuar nga gëlltitja e sasive të mëdha të ajrit gjatë vaktit. Sjelljet që favorizojnë këtë fenomen përfshijnë përtypjen e ushqimit shpejt dhe keq dhe konsumin e pijeve të gazuara. Ankthi dhe situatat stresuese gjatë vaktit gjithashtu mund të predispozojnë për aerofagi. Pirja e duhanit, çamçakëzi dhe ngrënia e karameleve janë faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë në fryrjen e barkut.

Formimi i sasive të mëdha të gazit mund të burojë gjithashtu nga fenomenet e fermentimit (metabolizmit të sheqerit) në zorrë. Kjo varet më shpesh nga marrja e pijeve me gaz të ëmbëlsuara, karbohidrateve komplekse, majave që gjenden në produkte të pjekura (të tilla si buka dhe pica) ose në birrë dhe ushqime të pasura me fibra (p.sh. bishtajore, kopër, argjinare, lakër, brokoli, kivi, pjepër etj).

Vëmendje e veçantë gjithashtu duhet t'i kushtohet metodave të përgatitjes së ushqimit: ushqimet e skuqura dhe shtimi i shumë erëza mund të irritojnë muret e zorrëve dhe të favorizojë formimin e gazrave. Për të njëjtën arsye, pijet alkoolike, çaji dhe kafeja gjithashtu duhet të jenë të kufizuara. Edhe konsumi i disa ushqimeve, të tilla si produktet e qumështit ose produktet e miellit të grurit (bukë, makarona dhe biskota), mund të nxisë fryrjen e barkut tek njerëzit që vuajnë nga intoleranca ndaj laktozës ose glutenit.

Një tension i dhimbshëm i barkut mund të ndodhë edhe në disbiozën e zorrëve, një gjendje në të cilën flora e zorrëve është pasuruar tepër me mikroorganizma patogjene (clostridia, salmonella, E.coli, candida, etj.). Kjo mund të rezultojë nga infeksionet rekurente, antibiotikët apo medikamente të tjera, çrregullimet e të ngrënit dhe stresi.

Fryrja e barkut është gjithashtu e shpeshtë gjatë shtatzënisë dhe në periudhën që i paraprin menstruacioneve (zorra është mjaft e ndjeshme ndaj ndryshimeve në hormonet seksuale femërore). Sidoqoftë, disa çrregullime funksionale mund të jenë të pranishme edhe në origjinën e fryrjes së barkut, siç janë dispepsia, gastropareza dhe sindroma e zorrës së irrituar.

Prodhimi i tepërt i gazit në zorrë mund të shoqërohet gjithashtu me gastroenterit, enterit dhe enterokolit, të cilat prekin respektivisht stomakun, zorrën e hollë dhe zorrën e trashë. Këto procese inflamatore shkaktohen nga shkaqe të ndryshme, duke përfshirë infeksione me origjinë bakteriale ose virale, helmime ushqimore, alergji ushqimore dhe gëlltitje të ushqimeve ose pijeve shumë të ftohta.

Shkaqe të tjerë të mundshëm të fryrjes së barkut përfshijnë kolitin, peritonitin, kolitin ulceroz, sëmundjen e Crohn, gurët në fshikëzën e tëmthit, fibrozën cistike, anoreksinë nervore dhe buliminë. Kushte më serioze që mund të shkaktojnë tension të barkut janë ascitet, giardiaza (infeksioni parazitar i zorrëve), divertikuloza, divertikuliti dhe bllokimi i zorrëve.

Aksesoni Shërbimet

Në FitHealth Clinic do të gjeni shërbimet më të mira për të përmirësuar jetën tuaj.